Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 18:30

Kukës – Situata e banorëve të 7 fshatrave të komunës së Ujmishtit në rrethin e Kukësit është rënduar mjaft pas më shumë se 10 ditësh të izoluar.

Kryetari i komunës, Ahmet Dedej, bëri të ditur se, “gjithçka është izoluar, ndërsa sot kam udhëtuar vetëm për të sjellë në prefekturë listën e banorëve që kanë të nevojshme sa më shpejt ndihmën ushqimore. Janë 152 familje që ndihmën ushqimore e kanë të domosdoshme”.

Ndërkohë, deri tani nuk është arritur zhbllokimi i asnjë prej akseve rrugore të kësaj komune.

“Përpjekje janë bërë, por në kushtet kur trashësia e dëborës arrin në mbi 1,5 metër, 3 borëpastrueset e sjella nuk kanë  mundur të stabilizojnë situatën. Kërkohen traktorë me zinxhirë për zgjidhjen e situatës”, shton Dedej.

Situata është përkeqësuar edhe për nxjerrjen e blegtorisë nga ky dimër i ashpër. “Baza ushqimore e blegtorisë është në të mbaruar dhe tashmë përbën shqetësimin kryesor për fermerët”, shtoi Dedej.

Një muaj më parë, si rrjedhojë e erërave të fuqishme në këtë komunë u dëmtuan 25 shtëpi banimi dhe 30 stalla të fermerëve si dhe çatitë e shkollave 9-vjeçare të fshatrave Malqene dhe Ujmishtit.

Në kushtet kur reshjet vazhdojnë, fenomeni i erozionit të tokës përbën në këtë komunë, veçanërisht në fshatin Fushëmollë një rrezik të vazhdueshëm.

“Në këtë fshat erozioni ka rrezikur ndjeshëm jetën e banorëve, aq sa ka familje që tashmë janë shpërngulur nga frika e erozionit të tokës. Nga studimet e kryera toka ka dalë jo e përshtatshme për basnesa”, thotë Dedej.

Në këtë komunë shqetësime të tilla janë edhe në fshatin Resk, apo Malqene. Ndërsa deri tani për zgjidhjen efikase të problemit ende  nuk ka ndonjë masë.