Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 14:30

Tiranë- Vlerësimi i impaktit të liberalizimit të tregtisë për produktet bujqësore, që ka nisur nga muaji janar 2012 në gjithë vendet e CEFTA-s (Marreveshje e tregtisë së lirë me vendet e rajonit), do të matet sivjet nga Shqipëria.

Vendi ynë, përmes një rotacioni vjetor, ka sivjet drejtimin e kryesinë e CEFTA-s, nisur në vitin 2007 dhe që konsiderohet si pjesë e integrimit të Ballkanit në tregun e Bashkimit Europian.

Në hotel “Tirana International”, në aktivitetin “Kryesia CEFTA 2012”, ministria e Ekonomisë njoftoi prioritetet shqiptare në zbatimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me pjesëmarrjen e shumë aktorëve pjesëmarrës në këtë treg rajonal.

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço i pranishëm në këtë aktivitet, çmoi ndikimin pozitiv të përfitimeve nga rritja e shkëmbimeve tregtare në zbatim të CEFTA-s dhe rritjen e kërkesës nga prodhuesit shqiptarë për  konkurrueshmëri të  produkteve, të cilat po mbështeten me programe konkrete nga qeveria.

“Politikat liberale që po ndjek qeveria shqiptare i kanë rezistuar presionit të krizës ekonomike në botë dhe po e rrisin konkurrencën e mallrave shqiptare në tregun rajonal”, tha Naço, duke renditur rritjen e volumit të shkëmbimit tregtar në raportin e eksporteve.

“Eksportet u rritën më shumë se importet dhe ndërsa në vitin 2010 ato zunë 57% të totalit, u rritën edhe me 22% në vitin 2011”, tha ministri Naço.       

Drejtore e Politikave Tregtare në ministrinë e Ekonomisë, Pranvera Kastrati, prezantoi programin e punës për vitin 2012, ndër të cilat Shqipëria si kryesuese e presidencës së CEFTA-s, do të ndjekë thjeshtimin e procedurave doganore, zhvillimin e qasjes rajonale për shkëmbimin e të dhënave mes vendeve anëtare,  liberalizimin e tregtisë në sherbime, kalimi i portalit “CEFTA Trade Portal” nga GIZ tek vendet anëtare, forcimin e masave fitosanitare për produktet bujqësore, harmonizimin e rregullave dhe procedurave për lehtësimin e shkëmbimit tregtar, etj.  

“Një nga prioritetet kryesore të presidencës së radhës nga Shqipëria, do të jetë vlerësimi i përfitimit të liberalizimit të tregtisë së produkteve bujqësore dhe matja e impaktit të këtij procesi, që vlerësohet mjaft i rëndësishëm për ekonominë rajonale”, tha ajo.

Vendet e CEFTA-s që nga viti 2007 kanë punuar për krijimin e një zone të lirë tregtare, eliminimin e barrierave jotarifore, forcimin e bashkëpunimit doganor, etj.

Efektet e liberalizimit të marrëdhënieve tregtare mes vendeve anëtare të CEFTA-s në 4 vitet e fundit janë të ndjeshme, pasi është rritur volumi i shkëmbimeve tregtare mes tyre, ku Shqipëria ka ndjerë përfitimet e veta.

Produktet shqiptare sot eksportohen pa tarifa doganore drejt vendeve të CEFTA-s dhe përbën 10% të shkëmbimeve totale tregtare nga 2.4% që ishte para fillimit të kësaj marrëveshjeje, duke pasqyruar potencialet reale që ka ekonomia dhe prodhuesit vendas për të konkurruar me produktet në vendet e rajonit.

Shqipëria do të kryesojë këtë vit të gjitha aktivitetet rajonale që do të organizohen në kuadër të CEFTA-s, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve për zhvillimin e politikës rajonale tregtare, krijimin e sinergjive për investime përmes nismave të tjera rajonale.

Vendet anëtare të CEFTA-s nga viti 2007, kur marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë nisi funksionin, janë  Shqiperia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. (LajmeShqip.com)