Krumë – Në qytetin verilindor të Krumës tendenca në rritje e numrit të familjeve me ndihmë ekonomike po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
“Në skemën e ndihmës ekonomike kemi 650 familje nga 1560 familje që ka bashkia e Krumës. Tendenca e numrit të familjeve me ndihmë ekonomike është në rritje”, thotë kryetari i bashkisë së Krumës, Liman Morina. Sipas tij, edhe pse numri i familjeve me ndihmë ekonomike konsiderohet i lartë, po synohet që përmes kontrolleve e bashkëpunimit me strukturat e tjera shtetërore të arrihet që ndihma ekonomike t’u afrohet vetëm familjeve më në nevojë.
Pavarësisht kontrolleve të ushtruara, numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike prej vitesh ka një luhatje të lehtë, gjë që tregon se ndihma ekonomike jo gjithnjë u jepet vetëm familjeve në nevojë.
Në këtë drejtim, ndikim pozitiv shpresohet të jepet përmes angazhimit të familjeve me ndihmë ekonomike në punën në komunitet, gjë që mund të ndikojë edhe në largimin nga skema të atyre familjeve që e përfitojnë ndihmën ekonomike padrejtësisht. Pavarësisht kësaj, rënia e fuqisë blerëse si rrjedhojë e uljes së ndjeshme të ndihmës nga emigrantët është pasojë edhe e mbylljes së 6 bizneseve të vogla, ndërsa pritet të mbyllen edhe disa biznese të tjera.