Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 16:23

Situata në Hec-et mbi shtratin e lumit Drin vazhdon të jetë e vështirë, edhe pse prurjet në liqene shënojnë rritje.

Kërkesa e lartë për energji ka bërë që, hec-et të punojnë në kapacitete të plota për të përballuar konsumin, duke çuar në nivele minimale historike liqenet.

Ngrohja e kohës ka sjellë uljen e konsumit të energjisë, por importi vazhdon të jetë në shifra të larta, për shkak të nivelit të ulët të liqeneve që shkakton pamundësinë e hec-eve për të gjeneruar energji me kapacitetete të plota. Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëjnë të ditur se konsumi ditor i energjisë arrin në 22 milionë kwh, prodhimi vendas është 10 milionë kwh dhe importi 12 milionë kwh.

Për të gjithë muajin Mars është parashikuar që të importohet kjo sasi energjie në ditë për të përballuar nevojat e vendit. Aktualisht, niveli në liqenin e Fierzës është në 255.17 metra ndërsa prurjet në 130 metër kub në sekondë. Niveli në liqenin e Komanit është në 170.6 metra dhe prurjet anësore në rreth 50 metër kub në sekondë. Niveli në liqenin e Vaut të Dejës është 70.37 metra dhe prurjet anësore janë thuajse inekzistente.