Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 13:23

Tiranë – Momenti i vështirë që po kalon Eurozona pritet të ketë një ndikim frenues në tregun e kredisë në Shqipëri.

Sipas analizës së Departamentit të Vlerësimit të Riskut në Credins Bank, grupet bankare ku bëjnë pjesë shumica e bankave që kanë aktivitet në Shqipëri kanë pësuar humbje nga investimet ne tregjet e vendeve problematike te Eurozonës.

Për këtë shkak, nuk priten politika të forta zgjerimi dhe kreditimi agresiv as në Shqipëri, duke tentuar më tepër në mbledhjen e sa më shume fondeve në formën e depozitave, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Situata më pak e favorshme paraqitet në veçanti për bankat greke që veprojnë në Shqipëri. Kjo lidhet jo vetëm me problemet që po kalon mjedisi ekonomik grek, por edhe me faktin që bankat në pronësi greke kanë raport tepër të lartë kredisë në raport me depozitat dhe me aktivet. Pesha e huave ndaj depozitave për katër bankat greke që veprojnë në Shqipëri lëviz nga 90% në rreth 194%. Këto banka e kanë mbështetur rritjen e tyre në tregun e kredisë kryesisht në linjat e financimit nga bankat mëmë.

Por, për shkak të krizës në Greqi, vlerësohet se mbështetja e bankave mëmë ndaj filialeve të tyre do të jetë shumë e kufizuar, qoftë në dhënie të huave ose shtimit të kapitalit. Bankat greke ndodhen përballë domosdoshmërisë që aktivitetin kreditor në të ardhmen ta mbështesin në rritjen e sasisë të depozitave. Në kushtet e sotme, do të jetë e vështirë që bankat greke në Shqipëri të ndjekin të njëjtat politika agresive kredituese që kanë ndjekur në vitet e fundit.

Bankat më aktive për huadhënie në tregun vendas do të jenë bankat më të mëdha, duke qenë se fondet e tyre të disponueshme për kreditim janë të tilla që të mundësojnë rritjen pa pasur nevojë për të rritur depozitat apo kapitalin. Tre bankat më të mëdha në vend, Raiffeisen, Intesa SanPaolo dhe BKT kanë një raport relativisht të ulët të huave me aktivet dhe me depozitat, çka ju jep hapësira të mëdha për të dhënë kredi. Por, nga ana tjetër këto banka duhet të përballen me nivelin e lartë të kredive me probleme, çka e bën të vështirë një qasje shumë agresive në dhënien e huave të reja. (LajmeShqip.com)