Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 09:35

Që nga viti 2008, kur ekonomia globale u godit nga kriza, nxitja e konsumit ka qënë një nga sfidat kryesore të politikbërjes dhe menaxhimit publik.

Reagimi i parë ishte shtimi i stimulit fiskal në ekonomi, duke rritur shpenzimet publike.

Të njëjtën gjë bëri edhe qeveria shqiptare, duke investuar qindra miliona euro, që u përqëndruan në pjesën më të madhe në infrastrukturën rrugore, si edhe duke rritur pagat dhe pensionet.

Por në disa vende qeveritë synuan të nxisnin konsumin nëpërmjet incentivave të drejtëpërdrejtë në sektorë të veçantë të ekonomisë, me skema që financonin pjesërisht blerjet konsumatore. Vitin e kaluar qeveria italiane miratoi një paketë të tillë me vlerë rreth 420 milionë euro.

Stimujt kishin të bënin me nxitjen e konsumit në sektorë strategjikë të ekonomisë dhe sidomos të industrisë së brendshme, si banesat, elektroshtëpiaket, mjetet lëvizëse me energjie elektrike, etj.

Këto lloj mekanizmash zakonisht përdoren për të gjallëruar industritë dhe prodhimin vendas. Në vende si Shqipëria, ku industria vendase ka përmasa modeste dhe është e përqëndruar kryesisht në produkte të konsumit të përditshëm, subvencionet sektoriale për të nxitur blerjet vështirë se mund të kenë efikasitet.

Për shembull, incentivat për të blerë makina apo pajisje elektroshtëpiake do të shërbenin vetëm për të financuar importet dhe do të rezultonin në flukse dalëse të parasë nga ekonomia e vendit.

Pas disa vitesh me stimul të rritur fiskal, sot ekonomitë botërore po detyrohen të tërhiqen drejt politikave konsoliduese. Eurozona ndodhet në kulmin e krizës së borxheve. Disa nga ekonomitë më të fuqishme kanë pësuar zhvlerësim të borxhit sovran. Shqipëria ka një nivel të borxhit publik afërsisht sa 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kjo vlerë qëndron larg vendeve që sot janë në krizë, por është në tavanin që institucionet e specializuara këshillojnë për ekonomi me këtë shkallë zhvillimi. Në teori, hapësirat e ngelura janë më të mëdha në krahun e nxitjeve monetare. Bankat Qendrore në Eurozonë dhe SHBA i kanë ulur normat bazë pranë minimumeve historike.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri, megjithatë ka opinione në favor të një uljeje të mëtejshme nga niveli 5%. Por në fakt, uljet e normës bazë në tre vitet e fundit nuk duket të kenë pasur ndikim të rëndësishëm, as në uljen e kursimeve dhe as në rritjen e kredidhënies.

Depozitat vitin e kaluar u rritën me 18%, ndërsa kredia vitin u rrit me rreth 12%. Edhe për këtë vit projeksionet janë të ngjashme. Pra, kosto e parasë nuk duket të jetë një faktor i dorës së parë në nxitjen e konsumit dhe të kreditimit.

Pa harruar se ekonomia shqiptare është e kredituar në valutë të huaj në pothuajse 70% të totalit. Ky element e ul në mënyrë drastike efikasitetin e politikave monetare të Bankës Qendrore në ekonominë e vendit.