Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 13:24

Tiranë – Industria rezulton sektori më i prekur direkt nga kriza ekonomike botërore gjatë vitit 2011 në ekonominë shqiptare, pasi degët kryesore të saj lidhen direkt me tregun e huaj, ndërsa sektorët e tjerë shënuan rritje.

Sipas INSTAT-it, grupi i industrive pati rënie ekonomike me 7.8% në 3-mujorin e katërt 2011 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Rënia e shoqëroi këtë sektor edhe në 3-mujorin e fundit 2011 dhe krahasuar me tremujorin e tretë, llogaritet me 5.8%.

Ndryshe prej saj, degët si bujqësia, transporti, postë-telekomunikacioni, shërbimet dhe ndërtimi në vitin 2011 patën tregues ekonomikë në rritje edhe pse me oshilacione nga një 3-mujor në tjetrin. Në tërësi, në vitin 2011 Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit 3.1% ndaj vitit 2010.

Aktiviteti bujqësor në 3-mujorin e katërt 2011 krahasuar me të njëjtin tremujor të 2010-tës u rrit me 1.9% dhe 0.9 % kundrejt 3-mujorit të tretë 2011. Ndryshe nga viti 2010, sektori i ndërtimit në 3-mujorin e katërt 2011 u rrit 1.2%, por u ul me 2.6%, krahasuar me 3-mujorin e tretë 2011.

Pavarësisht krizës ekonomike, rritje shënuan aktivitetet ekonomike për grupin “Tregti, Hotele dhe Restorante”  gjatë vitit 2011. Ky grup u rrit 8.8% në 3-mujorin e katërt 2011, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2010-tës dhe 2.7% në krahasim me tremujorin e tretë.

Aktiviteti ekonomik në sektorin e transportit në 3-mujorin e fundit 2011 pësoi rritje të ndjeshme, krahasuar me vitin 2010, e cila llogaritet nga INSTAT në 15.4% më shumë. Por nga ana tjetër, rritja e çmimit të karburanteve ndikoi në uljen e aktivitetit, çka krahasuar me 3-mujorin e tretë, llogaritet me 1.7% më pak.

Rritje të aktivitetit ekonomik shënoi në 3-mujorin e fundit 2011 edhe dega e post komunikacionit, me 3.8%,  krhasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Rritja e aktivitetit ekonomik në këtë sektor vijoi përgjatë  tremujorëve, ku llogaritet me 3.3% më shumë edhe ndaj 3-mujorit të tretë 2011. Gjithashtu dhe dega e shërbimeve në tremujorin e fundit 2011 u rrit me 5.4%, kundrejt të njëjtës kohë të 2010-tës dhe 1.6% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2011. (LajmeShqip.com)