Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 13:00

Tiranë – Kriza ekonomike në vendet evropiane ka ngritur shumë pikëpyetje për ecurinë e monedhës evropiane, ndonëse në tregun shqiptarë, deri tani euro ka ruajtur stabilitet në këmbim me lekun.

Referuar të dhënave në tregjet e kursit të këmbimit valutor në kryeqytet rezulton se, një euro u këmbye të shtunën mesatarisht me 141.56 lekë, në një kohë kur gati dhjetë ditë më parë kursi i këmbimit ishte në kuotën 1 euro me 140 .43. Madje brenda kësaj periudhe, euro në tregun shqiptar ka patur hera-herës edhe sjellje gati të habitshme dhe të kundërt me atë që ndodhi në tregun ndërkombëtar kur ajo zhvlerësohej, ndërsa në Shqipëri euro forcohej kundrejt lekut.

Përballë kësaj situate ekspertët e ekonomisë, tani më shumë se kurrë e kanë të vështirë të bëjnë parashikime.

Megjithëse Eurozona dhe bashkë me të euro po kalon turbulenca dhe shumë pasiguri, në Shqipëri duket se monedha evropiane ka gjetur një strehë të qetë. Sipas tyre, kursimi i këmbimit të euros ndaj lekut është luhatur fare pak gjatë kësaj jave, duke rezervuar surpriza për euron, për shkak të krizës greke që mund të vinte nga momenti në moment.

Gjithsesi ndryshueshmëria e këmbimit valutor të euros me lekun gjatë javës së fundit ka qenë fare e vogël. Por çfarë mund të ndodhë me euron? Ekspertët nuk përjashtojnë asnjë skenar. Ulja e fundit e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane, apo dhe paaftësia e samitit të G8 si dhe dyshimet e mëdha të tregjeve dhe investitorëve dhe optimizmi i tyre i pakët për të vendosur në rrugën e zgjidhjes, krizën greke, dhe ca më keq përkeqësimi i ekonomisë italiane, po dërmojnë reputacionin e monedhës.

Kjo situatë e paqartë madje shumë kaotike, sipas ekspertëve i lë të hapur të dyja shtigjet, euro mund të forcohet por edhe mund të zhvlerësohet. Se sa do të jetë lëvizja e kursit të këmbimit të lekut, kjo tani dihet edhe më pak se më parë.

Ekspertët thonë se parashikimet mund të jenë vetëm ditore, parashikimet afatgjatë janë bërë shumë më  të vështira për t’u përcaktuar. I vetmi risk i madh për Shqipërinë është një mungesë e theksuar e euros në treg, çka do të sillte rritjen e çmimit të saj e për pasojë rritje të çmimeve të konsumit dhe përkeqësim i borxhit publik të qeverisë. Ka edhe anë pozitive, një zhvlerësim i lekut ka rritur konkurueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun e huaj.