Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 16:20

Gjatë muajve të fundit, qeveria shqiptare është përballur me rritjen e interesit të huamarrjes në tregun e brendshëm, madje së fundmi nuk ka arritur as të sigurojë gjithë shumën e kërkuar.

Ilirjan Ligaçaj, drejtor i Departamentit të Thesarit në Union Bank,  shprehet se kjo dinamikë e tregut i detyrohet kryesisht kufizimeve të vendosura nga grupet e huaja bankare për blerjen e bonove qeveritare.

Sipas tij, rreziku që e njëjta tendencë të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm paraqitet në rritje. Dështimi i qeverisë për të siguruar gjithë shumën e planifikuar të borxhit ka ndodhur disa herë edhe në ankandet për emetimin e borxhit afatgjatë, nëpërmjet obligacioneve.

Në këtë rast, sipas zotit Ligaçaj, një ndikim ka pasur edhe rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë për menaxhimin e rrezikut të likuiditetit, që i detyron bankat të rrisin përqindjen e aktiveve likuide në portofolet e tyre.

Obligacionet nuk klasifikohen si të tilla, ndaj bankat janë detyruar të investojnë më pak në këto instrumente borxhi. Kufizimet e fundit të vendosura nga grupet e huaja bankare, por edhe nga Banka e Shqipërisë, kanë krijuar një situatë delikate në tregun financiar vendas.

Nga njëra anë, qeveria nuk po arrin të sigurojë borxhin e kërkuar dhe në këto kushte mund të detyrohet të drejtohet në tregjet e huaja, çka mund të sjellë një rritje ndjeshme të kosotve të huamarrjes, gjithmonë nëse orvatjet për të emetuar sërish eurobonde do të rezultonin të suksesshme.

Nga ana tjetër, kjo gjendje është problematike edhe për vetë bankat. Mundësitë për të dhënë kredi të shëndetshme janë reduktuar ndjeshëm në vitet e fundit dhe bonot qeveritare janë e vetmja alternativë e rëndësishme për të investuar kursimet e shqiptarëve dhe për të ruajtur gjallërinë e aktivitetit të bankave.

Me kufizimet e vendosura, bankat do të investojnë më pak në bono qeveritare, çka mund të ketë një impakt në rezultatet e tyre financiare.