Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 14:42

Tiranë – Planet e bizneseve për investime gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë në nivele shumë të ulëta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë pesimiste për kërkesën e brendshme dhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit kanë bërë që pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve të mos planifikojnë investime të reja.

Tërheqja nga investimet është veçanërisht e theksuar në sektorin e shërbimeve.

Mbi 91% e bizneseve të pyetura nga Banka e Shqipërisë nuk do të kryejnë investime të reja, sepse vlerësojnë se niveli aktual i shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre është i mjaftueshëm, duke konsideruar nivelin e kërkesës dhe porositë në të ardhmen.

Si rrjedhim, investimet e reja gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2011, madje edhe planet për investime të mundshme më tej gjatë këtij viti janë në nivele shumë të ulëta.

Lajmet e këqija për sektorin e ndërtimit janë tashmë të zakonshme dhe këtyre ju duhen shtuar edhe pritshmëritë shumë negative për aspekte të ndryshme të biznesit si prodhimi, kërkesa dhe punësimi janë negative.

Rreth 85.4% e bizneseve ndërtuese nuk parashikon të kryejë investime të reja në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012.

Mjaft pesimiste duket gjendja edhe nga këndvështrimi i bizneseve prodhuese. 75% e sipërmarrjeve industrial nuk kanë në plan të kryejnë investime të reja në gjysmën e parë të këtij viti.

Pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2012 tregojnë për një rritje të vogël të prodhimit industrial, të mbështetur nga rritja e kërkesës për eksporte.

Por nuk ekziston aspak i njëjti optimizëm, për sa i përket rritjes së kërkesës së brendshme, gjendjes së tyre të përgjithshme të biznesit si dhe mundësisë së punësimit. (LajmeShqip.com)