Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 18:30

Bizneset shqiptare kanë ulur shfrytëzimin e kapaciteteve në tremujorin e fundit të vitit 2011. Sipas Bankës së Shqipërisë, ndërtimi është sektori me shfrytëzimin më të ulët të kapaciteteve të veta, ndërsa industria ka përqindjen më të lartë të shfrytëzimit.

Bizneset e ndërtimit kanë raportuar se shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese ishte 62.5 %, rreth 4.4 pikë përqindjeje më pak krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas sipërmarrësve, ndër faktorët kryesorë që pengojnë shfrytëzimin e kapaciteteve në ndërtim, bizneset vijojnë të vlerësojnë pamjaftueshmërinë e kërkesës dhe kufizimet financiare.

Rënien më thellë në kapacitetet e shfrytëzuara e shënoi sektori i shërbimeve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor regjistroi vlerën 70.8%, në një rënie me 7.7 pikë përqindjeje nga tremujori i kaluar dhe 1.3 pikë përqindjeje nga tremujori i katërt i një viti më parë. Mbi 90% e bizneseve mendojnë se niveli aktual i shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre është i mjaftueshëm, duke konsideruar nivelin aktual të kërkesës dhe porositë në të ardhmen.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri pësoi rënie me 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e kaluar, duke shënuar nivelin 71.2 % në tremujorin e katërt të vitit 2011. Kjo normë qëndron vetëm 0.5 pikë përqindjeje mbi mesataren e saj afatgjatë, megjithatë është më e larta mes sektorëve ekonomikë.

Për rreth 83 % të bizneseve të sektorit të industrisë, kapacitetet e tyre prodhuese janë të mjaftueshme, duke konsideruar kërkesën aktuale dhe pritjet për porositë. Ulja e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese nga ana e bizneseve është një ndër treguesit kryesorë të dobësimit të kërkesës së brendshme. Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë si një ndër treguesit më të rëndësishëm, të tërthortë, të ngadalësimit të ekonomisë.