Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 17:00

Vështirësitë ekonomike që po kalon Greqia ka bërë që sipërmarrja private e këtij vendi të kthejë sytë nga tregu shqiptar.

Zv/presidenti i Dhomës së Tregtisë së Selanikut, Janis Virginis, zhvilloi një takim me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Gjatë takimit u diskutua për potencialet që ofron vendi ynë si edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Dua të falënderoj miqtë tanë shqiptarë që po na mbështesin në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë. Po zhvillojmë bisedime me zyrtarë të lartë në Shqipëri, për të parë mundësinë e transferimit dhe të zhvillimit të bizneseve greke, sidomos atyre eksportuese. Shqipëria ofron mundësi të shumta dhe sot unë jam shoqëruar nga 50 përfaqësues biznesesh të mëdha greke të cilat do të marrin pjesë në panairin Klik Ekspo Grup,” tha Virginis.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh se, do të ketë një intensifikim të bisedimeve dhe marrëdhënieve me bizneset greke. Dhoma e Tregtisë së Tiranës nënshkroi dy muaj më parë një marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën Tregtare të Selanikut.