Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 13:09

Tiranë – Ecuria e dobët e bizneseve ka sjellë rritje të kredive me probleme pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë për portofolin e kredisë me probleme sipas sektorëve të ekonomisë ,deri në fund të vitit 2010 tregojnë se pothuajse të gjithë sektorët janë në vështirësi.

Duke analizuar kredinë sipas sektorëve të ekonomisë për nga pesha në nivel sistemi dhe për nga cilësia e kredisë, vërehet se nivelin më të lartë të kredive me probleme e ka sektori i ndërtimit me  19.8%, pasuar nga industria përpunuese me 15.2% dhe tregti” me 13.8%.

Ndërsa në segmente të tjera të biznesit niveli i kredive me probleme është edhe më i lartë, pavarësisht se kredia për këta sektorë është në sasi më të pakta dhe nuk ndikon shumë në treguesin e kredive me probleme të sistemit bankar.

Kështu, deri në fund të vitit 2010, kredia me probleme për bizneset e pasurive të paluajtshme është 31%, për bujqësinë është 23.4%, për sektorin e transportit 23% dhe për atë të hoteleve e restoranteve 22.7%. Këto të dhëna japin një këndvështrim të ri lidhur me masën e prekjes së ekonomisë shqiptare nga kriza.

Nëse qeveria  këmbëngul se kriza e ka prekur Shqipërinë në mënyrë të përciptë, niveli i lartë i kredive me probleme dëshmon se pothuajse të gjithë sektorët ekonomikë janë goditur rëndë.

Një tjetër sinjal i tërthortë është performanca e dobët fiskale në mbledhjen e të ardhurave gjatë gjithë vitit në vazhdim. Këto fakte janë shumë domethënëse dhe sugjerojnë që qeveria duhet ta vlerësojë gjendjen e ekonomisë nga një optikë më realiste, përtej euforisë për rritjen e eksporteve apo të investimeve të huaja. Biznesi në vend duket se ka vështirësi serioze. Ndërgjegjësimi për gjendjen duhet t’i paraprijë reflektimit nëse është rasti që të adoptohen politika ekonomike dhe fiskale për të ndihmuar, apo të paktën për të lehtësuar, rimëkëmbjen e aktivitetit të biznesit në vend. (LajmeShqip.com)