Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 13:38

Tiranë – Niveli i kredive me problem në sistemin bankar shqiptar ka arritur në 17.2%, vlera më e lartë historike. Në këto kushte, menaxhimi i portofolit të kredive është bërë një nga sfidat kryesore të sistemit bankar.

Hubert De Saint Jean, drejtor i përgjithshëm i Societe Generale Albania, thotë se banka e tij ka arritur ta ulë normën ekredive me problem nga 14% në 10% brenda 18 muajve, ndërkohë që për pjesën tjetër të sistemit bankar ky tregues ka ardhur në rritje. Sipas tij, trajtimi i kredive problematike kërkon një ndërhyrje të shpejtë, por edhe vlerësim individual të rasteve.

“Kur një klient fillon të ketë probleme, banka ka ndërhyrë menjëherë, sepse sa më vonë të ndërhyhet, aq më shumë thellohen problemet. Ne kemi një organizim pune të tillë që, në momentin e parë kur klienti ka probleme, e kontaktojmë atë për të diskutuar. Në këtë moment, kemi dy skenarë.

Mund të kemi të bëjmë me klientë të besueshëm dhe që kanë vështirësi kalimtare, ose me klientë që nuk tregohen seriozë dhe nuk kanë dëshirë të paguajnë kredinë. Në rastin e dytë, ne ndjekim hapat për ekzekutimin e kolateralit. Ndërsa, në rastin e parë, kur klienti ka dëshirë të paguajë, por nuk ka mundësi, sepse të gjithë, individë apo biznese, mund të kenë momente vështirësie, banka përpiqet të gjejë një zgjidhje miqësore,” thotë ai.

Megjithatë, de Saint Jean shprehet se bankat kanë vështirësi në rastet kur duhet të kërkojnë ekzekutimin e kolateralit. Sipas tij, ka disa mangësi në sistemin juridik shqiptar dhe ata që nuk duan të paguajnë, përpiqen të shfrytëzojnë këto mangësi. (LajmeShqip.com)