Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:06

Tiranë – Rritet kredia për blerje pasurish të paluajtshme nga individët.

Sipas statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për tre muajt e parë të këtij viti kredia e re për blerje pasurish të paluajtshme kishte vlerën e 4.5 miliard lekëve, me një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tipar tjetër karakteristik është balancimi mes kredisë në lekë dhe asaj në euro. Nëse për tremujorin e parë 2010 kredia e re për blerje pasurish të paluajtshme jepej në masën 63% në valutë, në tremujorin e parë të këtij viti kemi një balancë të plotë në masën 50 me 50%.

Kjo është një shenjë se politika e Bankës së Shqipërisë për ta orientuar sidomos kredinë për individë drejt lekut, me qëllim shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit, po jep rezultate.

Rritja e kredisë për blerje pronash përkon me një gjallërim të lehtë të tregut të pasurive të paluajtshme. Banka e Shqipërisë bëri të ditur se çmimet e banesave në Tiranë u rritën me 1.5% mbi bazë vjetore dhe vlerësoi se lehtësimi në kushtet e kreditimit tregon për një rritje të kërkesës, që mund të ketë shkaktuar rritjen e lehtë të çmimeve.

Megjithë  përmirësimin e treguesve të punësimit dhe rritjen e aktivitetit ekonomik, Banka e Shqipërisë gjykon se zhvillimet në kredinë për individë vazhdojnë të diktohen nga një kërkesë e ulët për kredi, në kushtet e pasigurisë së perceptuar për të ardhmen dhe problematikat specifike të tregut të pasurive të paluajtshme, ndërkohë që kushtet e kreditimit të individëve nga bankat, në terma relative, mbeten ende të shtrënguara.