Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 12:04

Kreditimi i ekonomisë është përshpejtuar në muajin Shtator. Statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë u rrit me afro 10 miliardë lekë ose 1.9%.

Në vlerë absolute, kjo është rritja më e lartë mujore e kredisë e regjistruar gjatë këtij viti. Me bazë vjetore, në fund të Shtatorit kredia për ekonominë u rrit me 14.6%, ndërkohë që në fund të Gushtit rritja vjetore e kredisë ishte ndalur në 12.8%.

Shifrat tregojnë se gjallërimi i kredisë ka ardhur kryesisht nga bizneset. Portofoli i tyre është rritur në një muaj është rritur me 8 miliardë lekë ose 2.3%. Ndërkohë, kredia për individë ka shënuar një rënie të lehtë me 0.1% krahasuar me një muaj më parë.

Depozitat vazhduan rritjen e pandalshme edhe në muajin Shtator. Totali i tyre arriti në afro 858 miliardë lekë, me një rritje prej 12 miliardë lekë, ose 1.5% krahasuar me muajin Gusht.

Pas rritjes së pritshme sezonale gjatë muajve të verës, rritja me ritme të larta e depozitave edhe në Shtator tregon që konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të jenë të prirur drejt kursimit dhe kujdesit në shpenzime.

Por, këtë here, rritja e kredisë dëshmon për raporte më të ekulibruara mes kursimeve dhe shpenzimeve. Sistemi bankar vazhdon të ketë rezerva të mëdha likuiditeti, të gatshme për të financuar nevojat e ekonomisë. Në fund të muajit Shtator, raporti mes kredive dhe depozitave vazhdoi të ishte i ulët, në nivelin 61.5%.