Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 14:16

Tiranë – Kredia e re për biznesin në 6-mujorin e parë të këtij viti është rritur me 70%. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të muajit qershor, biznesi shqiptar përfitoi 187 miliardë lekë kredi të reja.

Kjo dëshmon një gjallërim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të kërkesës, por edhe politika më çliruese të ndjekura nga bankat në drejtim të kreditimit.

Tregtia ngelet aktiviteti ekonomik më i kredituar. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti kredia për sektorin e tregtisë u rrit 73% krahasuar me një vit më parë dhe arriti në 84 miliardë lekë.

Por, veçanërisht pozitive duket tendenca e kreditimit të sektorët prodhues të ekonomisë. Kredia e re për industrinë përpunuese u rrit për 6-mujorin e parë me 69% dhe arriti vlerën e 26 miliardë lekëve. Për industrinë nxjerrëse, kredia e re arriti vlerën e 5 miliardë lekëve, me një rritje prej 91% krahasuar me një vit më parë.

Kredia e re për sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike ishte 10.3 miliardë lekë, 78% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2010. Pozitive janë sinjalet edhe nga bujqësia.

Pavarësisht se në vlerë absolute kredia për këtë sektor ngelet modeste dhe për gjashtë muajt e parë të vitit kishte vlerën e 2 miliardë lekëve, krahasuar me një vit më parë financimi i bujqësisë është dyfishuar.

Për t’u shënuar edhe një rritje e kredisë për bizneset e ndërtimit, sektori ekonomik që ka vuajtur më shumë në tre vitet e fundit. Kredia e re për ndërtimin arriti në 25 miliardë lekë, me një rritje prej 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (LajmeShqip.com)