Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 15:33

Tiranë – Gjatë vitit 2011 biznesi ka marrë më pak kredi. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin e vitit 2011 kredia e re për biznesin kishte vlerën e 122.4 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, kredia e re dhënë biznesit ka rënë me 4.1%.

Tregtia, ndërtimi dhe industria përpunuese, tre sektorët që përbëjnë bazën e kreditimit në ekonominë shqiptare kanë njohur që të treja rënie të volumit të kredisë së re krahasuar me një vit më parë. Tregtia ngelet edhe sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare dhe zë rreth 40% të kredisë së re për biznesin. Por, për 7-mujorin e këtij viti kredia dhënë subjekteve tregtare ka rënë me afro 10% krahasuar me një vit më parë. Industria përpunuese, sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë, këtë vit ka përfituar 5.2% më pak kredi.

Ndërtimi, një ndër sektorët më në vështirësi për tre vitet e fundit, ka pësuar një rënie të kredive të reja me 16.4%. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, pikërisht kërkesa e pakët dhe jo cilësore është faktori kryesor që ka zbehur ritmet e kreditimit gjatë dy viteve të fundit.

Biznesi shqiptar ka probleme dhe rënia e kredive të reja nuk është i vetmi tregues i tërthortë i këtyre problemeve. Një tjetër fakt që e dëshmon këtë është niveli i lartë i kredive me probleme. Ndër sektorët me peshë në ekonominë shqiptare dhe në portofolin e kredisë të sistemit bankar, nivelin më të lartë të kredive me probleme e kishte sektori i ndërtimit me 19.8%, pasuar nga industria përpunuese me 15.2% dhe tregtia me 13.8%.

Ndërsa në segmente të tjera të ekonomisë niveli i kredive me probleme ishte edhe më i lartë, pavarësisht se kredia për këta sektorë është në sasi më të vogla. Deri në fund të vitit 2010, kredia me probleme për bizneset e pasurive të paluajtshme është 31%, për bujqësinë është 23.4%, për sektorin e transportit 23% dhe për atë të hoteleve e restoranteve 22.7%.

Pavarësisht se për vitin 2011 të dhënat nuk janë të disponueshme, besohet që niveli i kredive me probleme për shumicën e sektorëve ekonomikë të jetë rritur më tej, duke pasur parasysh se niveli mesatar i tyre në fund të muajit Korrik arriti në 17.1%, nga 14% që ishte në fund të vitit 2010. (LajmeShqip.com)