Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 11:14

Ankara-Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila dhe ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë,  Zafer Caglayan, lancuan sot zyrtarisht në Ankara negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes të dy vendeve.

Zv/kryeministrja Kusari – Lila, sipas zyrës së saj, tha se këto negociata janë në interes të dy vendeve dhe shenjë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë. “Ne shpresojmë se negociatat me Turqinë janë hap i mbarë për tregtinë e Kosovës para se të fillojmë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, që presim të fillojnë vitin e ardhshëm”, theksoi ajo.

Ministrja Kusari-Lila tha se ekonomia e Kosovës në krahasim me ekonominë e Turqisë është e vogël dhe për këtë arsye Kosova do të ketë nevojë për mbrojtjen e disa sektorëve strategjikë për një periudhë disavjeçare.

Ministrja Kusari-Lila po ashtu kërkoi që Qeveria e Turqisë të krijojë një fond të posaçëm për përkrahjen e investitorëve turq që duan të investojnë në Kosovë. Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan, tha se “marrëveshja e tregtisë së lirë është në interes të zhvillimit ekonomik të dy vendeve tona. Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve tona tregtare”.

Ministri Caglyan tha se Turqia gjatë negociatave do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e Kosovës, duke përfshirë këtu mbrojtjen e sektorëve strategjikë të Kosovës dhe përfshirjen e shërbimeve në negociata. Tre muaj më parë Kosova dhe Turqia nënshkruan marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve. Ndërsa së shpejti Kosova dhe Turqia do të nënshkruajnë edhe marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë (LajmeShqip.com)