Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 17:28

Prishtinë – Përfaqësuesit e dy sindikatave të PTK-së konsiderojnë se moscaktimi i një vlere të PTK-së dhe mos përcaktimi i disa rregullave të tregut janë të padrejta në privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike.

Ata kanë paraqitur një numër të kërkesave për qeverinë dhe paralajmëruan se nëse ato nuk merren parasysh, atëherë do të organizojnë protesta dhe greva.

Anëtar i Kryesisë së Sindikatës Profesionale e Punëtorëve, Seremb Gjergji ka takuar ministrin Besim Beqaj dhe kanë dërguar informata se si duhej të mbrohen interesat e punëtorëve të PTK-së, por deri tash nuk kanë pas asnjë përgjigje.

Kryetari i Sindikatë së Pavarur të Postë-Telekomit, Milazim Alshiqi ka theksuar se këta punëtorë me djersën e tyre e kanë ngritur PTK-në në këtë nivel që është tani.

Duke u ndalur te deklarata e ministrit Beqaj se nuk garantohen pagat, por vetëm kontratat për katër vjet, anëtari i Kryesisë së Sindikatës Profesionale të Punëtorëve, Seremb Gjergji, tha se sipas burimeve të tyre, brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, kanë mësuar se është diskutuar që pagat e punëtorëve të PTK-së të minimizohen në 250 euro dhe nëse ndodh një gjë e tillë kjo do të krijojë një krizë brenda PTK-së, në zhvillimin ekonomik dhe për vetë Qeverinë e Kosovës.

Gjerjgaj ka thënë se pagat e punëtorëve nuk e dëmtojnë procesin e privatizimit.
Gjergji ka thënë se mesatarja e pagave nuk është 900 euro siç ka thënë ministri Beqaj, por është 796 euro dhe çdo vjet qeverisë i takojnë 40 mijë euro.