Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 12:24

Prishtinë – Përveç kornizës së duhur ligjore që duhet të implementohet, me rëndësi për tërheqjen e investitorëve është edhe përmirësimi i imazhit të Kosovës, ka thënë në një konferencë për bashkëpunimin ekonomik, ambasadori gjerman në Kosovë, Hans Diter Shtajnbah.

Forcimi i sundimit të ligjit është shumë i rëndësishëm për forcimin e ndërsjellë të biznesit, ka thënë Ambasadori gjerman në Pishtinë, Shtajnbah.

Sipas tij, gjykatat duhet të funksionojnë, sepse për investitorin është me rëndësi që nëse ka ndonjë rast, ai të përfundojë në afat të arsyeshëm kohor.

Ai tha se nuk është vetëm ekzistimi i kornizës ligjore, por edhe implementimi i saj.

Shtajnbah po ashtu theksoi rëndësinë e funksionimit të kadastrit, sepse për investitorin është me rëndësi të mos ketë probleme pronësore.

Paralel me këto është edhe çështja e imazhit, tha ai.

Ndërkaq, ministrja e Integrimeve Europiane Vlora çitaku ftoi investitorët gjermanë të marrin pjesë në procesin e privatizimit. Konferenca u organizua nga Ambasada gjermane në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat gjermane GIZ dhe Kfw.