Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 14:43

Prishtinë – Pagat për muajin mars pritet të dalin me rritje, pasi që listat nga Ministria e Administratës Publike janë përpiluar me rritje, ndërsa tash vetëm pritet ekzekutimi i buxhetit.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ka thënë se listat janë përpiluar me rritje dhe pritet vetëm lëshimi i buxhetit nga ana e Ministrisë së Financave.

“Po, gjithsesi, ne listat me rritje i kemi përpiluar vetëm presim lëshimin e buxhetit nga Ministria e Financave. Për muajin mars do të dalin me rritje, ndërsa për muajt tjerë janë procedura që marrin më shumë kohë dhe do të dalin më vonë”, ka thënë ministri Jagxhillar.

Nga ana tjetër zyrtarja për informim në Ministrinë e Financave, Fatime Lumi ka thënë se nëse listat janë përpiluar me rritje nga Ministria e Administratës Publike, ashtu edhe do të dalin.

“Pagat do të dalin me rritje pasi që është miratuar buxheti me rritje të pagave. Ndërsa kjo varet edhe prej listave siç i përpilon Ministria e Administratës Publike”, ka thënë Lumi.

Për me tepër ajo ka shtuar se nuk ka ndonjë problemqë të mos dalin pagat me rritje.

Ligji për buxhet ka hyrë në fuqi pasi presidenti në detyër, Jakup Krasniqi, më 1 prill ka nënshkruar Ligjin për buxhet. Ndërsa pritet që nga e marta të gjithë kategoritë që kanë përfituar nga vendimi i qeverisë për rritje të pagave, ti marrin me rritje.