Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 14:15

Organizimi i fermerëve është një ndër elementet që ndihmon në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, tha ministri i Bujqësisë, Blerand Stavilieci gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit për procesin e organizimit nacional të fermerëve në Kosovë.

“Ministria e Bujqësisë dhe Unioni i Fermerëve duhet të jenë dy organizma që e shtyjnë sektorin përpara. Kur nuk bëhen gjëra të mira atëherë njëra duhet ta ndihmojë tjetrën për t`i përmirësuar ato. Besoj që mund ta bëjmë këtë nëse ka një organizim të tillë”-tha Stavileci.

 Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, Zenel Bunjaku, tha se për ta çuar bujqësinë drejt një zhvillimi më të hovshëm, atëherë edhe vetë fermerët duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u vlerësua mjaftë i rëndësishëm dhe do të jetë një urë më e mirë e bashkëpunimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerëve të Kosovës.