Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 15:53

Prishtinë (PLOTËSUAR, 17:00) – Pozita dhe opozita kishin vlerësime diametralisht të kundërta sa i përket projektbuxhetit të vitit 2012. Duke kërkuar miratimin nga ana e deputetëve, kryeministri Hashim Thaçi tha se ky projektbuxhet garanton zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve dhe është bazuar në projeksione realiste të të hyrave dhe shpenzimeve.

Pozita dhe opozita kishin vlerësime diametralisht të kundërta sa i përket projektbuxhetit të vitit 2012. Duke kërkuar miratimin nga ana e deputetëve, kryeministri Hashim Thaçi tha se ky projektbuxhet garanton zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve dhe është bazuar në projeksione realiste të të hyrave dhe shpenzimeve.

Grupi parlamentar i PDK-së dhe ai për Kosovë të re, i dhanë mbështetje miratimit të këtij dokumenti në parim, por grupet e partive opozitare adresuan shumë kritika.

Naser Osmani nga grupi parlamentar i LDK-së, tha se projektbuxheti i vitit 2012 parasheh të hyra të paqëndrueshme dhe se shpenzimet nuk do të zvogëlojnë varfërinë dhe papunësinë.

Ndërkaq, sipas Visar Ymerit të Lëvizjes Vetëvendosje, projektbuxheti është hartuar mbi interesat personale të individëve. Kurse Ardian Gjini nga AAK-ja theksoi se shumica e projekteve kapitale janë të bartura nga ky vit, dhe sipas tij qeveria ka hequr dorë tërësisht nga plani për uljen e papunësisë dhe varfërisë.

Debat me plot replika u zhvillua edhe rreth çështjeve të veçanta siç ishte autostrada, ku kryeministri Thaçi duke iu kundërpërgjigjur deputetëve të Vetëvendosjes theksoi se zhvillimi i vendit do të bëhet vetëm me ndërtim, dhe se projekti i autostradës do të vazhdojë.

Ndryshe, buxheti i vitit 2012 parashihet të jetë 1 miliard e 517 milionë euro, me një rritje prej 7.6 për qind, krahasuar me buxhetin e vitit 2011. Të hyrat janë parashikuar të jenë 1 miliard e 352 milionë euro, kurse deficiti prej 178 milionë euro.

********************

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar sot projektbuxhetin e vitit 2012, i cili parashikohet të jetë rreth 1.5 miliardë euro. Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti se ky buxhet garanton zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe bazohet në projeksione realiste të të hyrave dhe shpenzimeve.

Duke folur para deputetëve për projektbuxhetin e vitit 2012, ai tha se ky buxhet është dëshmi e qartë se qeveria është në shërbim të plotë të qytetarëve. Ai përsëriti se ky buxhet garanton zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve.

“Buxheti është ndërtuar duke u bazuar në politikat qeverisëse dhe në planin zhvillimor. Ky buxhet garanton rritjen e financimeve për bujqësinë, dhe vazhdimin e investimeve kapitale dhe për të ruajtur financim të qëndrueshëm. Rritja ekonomike do të jetë 5 për qind, që është rezultat i politikave të matura dhe realiste”.

Projektbuxheti i vitit 2012 është harmonizuar edhe me FMN-në, theksoi kryeministri. Ministri i financave, Bedri Hamza, tha se me këtë buxhet ruhet qëndrueshmëria makrofiskale, kurse defiçiti do të jetë brenda parametrave të lejuar. Barrën kryesore për mbushjen e buxhetit të vitit të ardhshëm do ta kenë Doganat dhe Administrata Tatimore, të cilat duhet të grumbullojnë mbi një miliardë e 100 milionë euro.

Deputetët e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë projektbuxhet nëse nuk merren parasysh vërejtjet e tyre.