Lajme Shqip Thursday, 13 December 2012 17:10

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës miratoi Buxhetin e vitit 2013, në vlerë prej mbi 1.4 miliardë euro të hyra dhe afro 1.6 miliardë euro shpenzime.

Projektbuxheti për dallim nga leximi i parë, në leximin e dytë nuk zgjoi shumë interesim. Kryetarja e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadergjonaj, ftoi deputetët që të  votojnë projektbuxhetin: “Në emër të Komisionit për Buxhet e Financa kërkoj nga të gjithë deputetët që ti miratojnë amandamentet e propozuara dhe njëkohësisht të miratojnë edhe buxhetin për vitin 2013.”

Pas kësaj edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi deshi të jepte fjalën Grupeve Parlamentare dhe ministrit të Financave Bedri Hamza, mirëpo pasi nuk kishte interesim ai ftoi deputetët të votojnë:

“Nëse nuk e dojnë kryetarët e Grupeve Parlamentare fjalën, atëherë ne ia kalojmë fjalën ministrit nëse natyrisht e don fjalën… nëse jo atëherë kalojmë në procedurën e votimit.”

Pas votimit, me 64 vota për, 26 kundër dhe 1 abstenim, u miratua projektbuxheti me të cilin parashihen afro 1.6 miliardë euro shpenzime. Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim miratuan edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.(LajmeShqip.com)