Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 12:17

Prishtinë – Republika e Kosovës së shpejti do të formalizojë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë me Republikën e Kroacisë, bëri të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë takimit që pati sot me ambasadorin kroat në Prishtinë, Zoran Vodopija.
Ambasadori Vodopija konfirmoi se ekziston vullneti politik nga dy vendet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, ndërsa theksoi interesimin e ndërmarrjeve kroate për të investuar në fushën e infrastrukturës dhe importin e pemëve, bëjnë të ditur burime zyrtare të ministrisë kosovare.
Ministri Beqaj tha se ekziston një bashkëpunim i mirë i institucioneve të Kosovës me Kroacinë, i cili duhet të shkojë me tej. Ai vlerësoi vizitën e tij në maj në Kroaci, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Ka mjaft hapësira bashkëpunimi ekonomik, sidomos në fushën e energjisë, infrastrukturës, pemëtarisë dhe industrisë së përpunimit të ushqimit, gjë që do të ndikonte në përmirësimin e deficitit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, tha ai.
Ministri Beqaj njoftoi diplomatin kroat mbi projektet që lidhen me procesin e privatizimin, ku ftoi investitorët kroatë që të jenë pjesë e këtij procesi, në mënyrë, që bashkëpunimi bilateral të mos kufizohet vetëm në aspektin tregtar, por të orientohet edhe në forma më të avancuara të investimeve. 
Me këtë rast, ai ngriti dhe çështjen e sigurimeve dhe eliminimeve të taksave të dyfishta, me qëllim, lehtësimin e qarkullimit ekonomik mes dy vendeve dhe qytetarëve.