Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 16:00

Prishtinë-Në pikat e shitjes së derivateve të naftës sivjet pritet të instalohen një sistem i pajisjeve fiskale, që ka potencial t’i regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes, dhe t’i mundësojë ATK-së kontroll më të madh.

Drejtori i departamentit për Modernizim në ATK, Nahit Sharku, thotë se ende nuk janë çertifikuar pajisjet elektronike fiskale, në mënyrë që të fillojë ky proces.

“Deri më tani, bazuar në informatat që kemi ne, janë katër pajisje që janë dorëzuar në laborator për licencim, mirëpo kanë mbetur edhe disa kërkesa teknike që kërkohen nga laboratori që këto kompani t’i plotësojnë, në mënyrë që të licencohen. Pasi t’i plotësojnë këto kërkesa të parashtruara nga laboratori, pastaj mbetet implementimi i tyre në terren”-tha Sharku.  

Sharku thekson se ATK-ja i ka përfunduar të gjitha obligimet e saja që ky proces të nis, mirëpo sipas tij tash është në anën e laboratorit që të certifikojë pajisjet fiskale. Ky sistem, ku bëjnë pjesë pajisja fiskale, kontrollori dhe dispenseri apo pompa, sipas tij, do të mundësojë kontroll më të mirë të qarkullimit në pompa të benzinës.

Operatorët ekonomik kanë kërkuar ndryshimin e specifikacioneve teknike që ishin miratuar në shtator. Për përfundimin e këtij procesi, sipas tij nevojiten gjashtë muaj.

Kompanitë që merren me tregtimin e derivateve të naftës vlerësohet se kanë një qarkullim vjetor prej 500 milionë eurosh. Për fiskalizimin e Pompave të Benzinës janë katër operator që pritet të ofrojnë pajisjet e tyre, “GEKOS”, “DUKAGJINI”, “PRINTEC” dhe “R&T”.