Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 15:29

Prishtinë – Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se planifikimi i Qeverisë së Kosovës për privatizimin e PTK-së, duhet të jetë i matur dhe i menduar mirë. Ata theksojnë se qeveria nuk duhet të shesë këtë kompani për 300 milionë euro, vetëm sa për të mbuluar shpenzimet buxhetore, por sipas tyre çmimi duhet të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, konstatojnë se sipas ligjit mbi buxhetin, burimet buxhetore duhet të jenë shumë të sigurta, në mënyrë që mos të vije deri te deficiti buxhetor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu ka thënë se për një proces të suksesshëm të privatizimit të PTK-së duhet një analizë e detajuar se çfarë ka ndodhur në të kaluarën në këtë proces.

Sipas tij që pas lufte e deri në vitin 2010 nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me procesin e privatizimit, andaj duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për privatizimin e PTK si ndërmarrje e madhe publike.

Për më tepër, ai shton se projeksionet buxhetore janë të tilla dhe me siguri në këtë drejtim ka pas informacione të cilat i kanë dhënë garanci qeverisë për shitjen e PTK-së, dhe ai beson se në vitin 2011 ky transaksion do të përfundojë, por nuk mendon se posta do të shitet për 300 milionë.

Por, në këtë drejtim, ai thekson se është koha kur në këtë proces duhet të jenë të involvuar ekspertë të lëmenjve të caktuar dhe të përdoren përvojat e atyre që kanë dhënë efekte pozitive.

Gërxhaliu konstaton se është koha kur duhet të kërkohet transparencë, dhe kur sindikatat duhet të ngritin zërin që t’i mbrojnë interesat shtetërore dhe jo të merren me çështjen nëse duhet të privatizohet apo jo PTK-ja.

Ndërsa, Musa Limani e vlerëson një hap të rëndësishëm vendimin e qeverisë për miratimin e buxhetit, pasi sipas tij me këtë është tejkaluar mundësia për një krizë financiare. Por, sipas tij sa i përket hipotekave me të cilat është miratuar buxheti, ai konstaton se një gjë e tillë nuk është në rregull.

Nagip Skenderi, profesor i Ekonomisë në UP, konsideron se PTK-ja duhet të privatizohet, pasi sipas tij, sektori privat është ai që gjeneron vende të reja pune dhe ulë çmimet në treg.

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka vlerësuar kohë më parë se privatizimi i PTK-së është çështje strategjike për Kosovën dhe procesi është i rëndësishëm për investitorët potencial.

Sipas kësaj zyre, nëse ka ndonjë ankesë ose paqartësi rreth procedurës, ato duhet të zgjidhen në mënyrë konsensuale dhe përmes kanaleve të duhura institucionale të Kosovës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit të kaluar ka miratuar strategjinë e Qeverisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, kurse në mars të këtij viti ka miratuar buxhetin për 2011, ku parashihet edhe shitja e PTK-së.

Miratimi në pako i buxhetit me shitjen e PTK-së nga opozita u cilësua si jo ligjore dhe jo kushtetuese, ndërkohë që ka pasur edhe protesta të punëtorëve të postës.