Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 19:50

Prishtinë  –  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ministrin e Bujqësisë të Bullgarisë, Miroslav Naydenov.

Ndër çështjet kryesore të takimit ishte gjetja e rrugëve të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë, konkretisht në fushën e bujqësisë, bënë të ditur burime zyrtare nga kryeministria kosovare.

Kryeministri Thaçi duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë proceseve demokratike në Republikën e Kosovës, siguroi se bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve do të thellohet në të gjitha fushat.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në mesin e prioriteve kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, theks të veçantë i ka dhënë sektorit të bujqësisë. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ime Bullgarinë është i mirëpritur. Përvoja bullgare në këtë sektor është e rëndësishme për institucionet tona, në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit të hovshëm të bujqësisë në vendin tonë”, theksoi kryeministri Thaçi në takim.

Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë i Republikës së Bullgarisë, Miroslav Naydenov, shprehu gatishmërinë e qeverisë bullgare për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, ku ndër sektorët kryesore ve]oi atë të bujqësisë.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Qeverisë së Kosovës mbërriti sot paradite për vizitë delegacioni bullgar i kryesuar nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Miroslav Naydenov. Në Odën Ekonomike të Kosovës pasdite mbahet një forum i përbashkët biznesor, ku marrin pjesë përfaqësues të agrobiznesit të të dy vendeve.