Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 14:39

Prishtinë – Pëson ulje edhe më tej eksporti i mallrave të Kosovës, përderisa importi vazhdon të jetë shumë i lartë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti eksportet kanë rënë rreth 24.4 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dy eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës vazhdojnë të jenë “Ferronikeli” dhe “Trepça”, që eksportojnë metale.

Drejtori i Doganës, Naim Huruglica, thotë se ka rënie të eksportit, jo të vëllimit të tij, por kryesisht për shkak të çmimit.

“Eksportet kanë pasur rënie, dhe arsyetimi kryesor është çmimi i ultë i mineraleve dhe metaleve në tregun botëror. Eksportuesi kryesor është “Ferronikeli”, pas tij vjen “Trepça”, dhe çmimet e nikelit në treg kanë qenë të ulëta në krahasim me vitin e kaluar. Realisht volumi nuk ka qenë shumë më i ultë, por vlera ka qenë dhe e ka goditur drejtpërdrejt”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi thotë se në periudhën janar – korrik të këtij viti shkëmbimet tregtare kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 500 milionë euro, ku kontributi i eksporteve në volumin tregtar është rreth 160 milionë euro, kurse importi 1 miliardë e 537 milionë.

Shkëmbimet tregtare gjatë vitit të kaluar kanë qenë në vlerë prej 2 miliardë e 800 milionë euro, ku eksporti ka qenë 319 milionë, përderisa importi rreth 2 miliard e 492 milionë euro. (LajmeShqip.com)