Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 09:15

Prishtinë – Komisioni Kosovar i Konkurencës në një analizë që i ka bërë sektorit bankar ka konkluduar se ekzistojnë dyshime se dy bankat më të mëdha në vend janë duke abuzuar me fuqinë e tyre dominuese në vend. Analiza e Komisionit Anti Monopol është kryer në gusht të vitit të kaluar pas gjashtë muajsh hetimesh dhe është publikuar në faqën zyrtare të këtij institucioni në nëntor të vitit 2011.

“ProCredit Bank dhe  Raiffeisen Bank, zotërojnë rreth 68% të tregut dhe do të  ishte me interes të analizoheshin normat e interesit që ofrojnë për depozitat (të ulta) dhe interesat në kredi (të larta) si dhe vlerësimin e tyre si një strategji e menaxhimit të  likuiditetit apo abuzim? “, thuhet në raportin e Komisionit Kosovar të Konkurencës. 

Sipas këtij raporti kapitali  i  bankave ekzistuese dominohet nga kapitali  i huaj dhe  përqindja e kapitalit  vendor është e ulët.

Komisioni i Konkurrencës ka konkluduar se tregu i Kosovës ka nevojë për banka të reja dhe shtrirje të tyre në tërë vendin.

“Duhet të bëhet liberalizimi i tregut bankar përmes licencimit të bankave të reja, përkatësisht duhet të rritet numri i bankave që operojnë në Kosovë”, thuhet në këtë raport.

Bankat Tregtare që operojnë në Kosovë sipas kësaj analize nuk janë shumë transparente me klientët.

“Është e nevojshme  që normat efektive të kamatave të jenë më transparente dhe  reale. Gjithashtu, duhet të dihet se si bëhet përcaktimi i çmimit të kredisë (si për kredi  me kamatë fikse ashtu edhe për ato me normë variabile), njëkohësisht, përcaktimi i shpenzimeve administrative që e ngarkojnë çmimin e kredisë të jetë më transparent”, shënohet në këtë analizë të këtij institucioni kosovar.

Njëra prej arsyeve sipas Anti Monopolit që ndikon në normat e larta të interesit për kamata e norma të ulëta për depozita është edhe fakti që ka nivel të ulët të konkurencës si pasojë e numrit të vogël të bankave tregtare, i cili përcillet me shkallë të lartë të përqendrimit të disa bankave më të mëdha.

Bankat Tregtare në Kosovë sipas raporteve periodike të Bankës Qëndrore që rregullon tregun bankar kanë një përfitim prej 37 milionë eurosh në vit ku rreth 20 milionë euro i përkasin dy bankave më të fuqishme që janë “Pro Credit Bank” e “Raiffeisen Bank”. (LajmeShqip.com)