Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 19:03

Rreth 25 % e familjeve në Kosovë merr para (remitanca)  nga kosovarët e punësuar në diasporë. Mesatarisht secila nga këto amëvisëri merr 2.136 euro në vit para kesh, tregon studimi i UNDP-ës mbi rrjedhën dhe shfrytëzimin e remitencave.

 Sipas studimit përqindja e pranuesve të remitencave është më e lartë në mesin e grave kryefamiljare, 31%, krahasuar me amvisëritë që udhëhiqen nga meshkujt 24%. Ndërsa, niveli i papunësisë të atyre që marri remitenca është 50.2%.

Analistja pranë UNDP-së Ulla Maia Rantapuska ka vënë re se ka ulje të investimve të remitencave në biznese dhe kursime. “Ka një  rënie të dukshme të shfrytëzimit të remitencave në përqindjen e investimeve për biznes dhe kursimet, nga 20.2% në 9%. Sa i përket orientimit të remitencave studimi thotë se gratë këto remitenca i orientojnë  më shumë në aktivitetet e konsumit aktual krahasuar me burrat” ka thënë Maia Rantapuska.

Sa i përket shpërndarjes së  remitencave sipas regjioneve kjo dallon në mënyrë të konsiderueshme. “Përqindja e amvisërive që pranojnë remitenca është më e larta në regjionin e Pejës 37% krahasuar me regjionet tjera, të cilat shfaqin të kenë një shpërndarje më të baraspeshuar të remitencave” pohon Maia Rantapuska.

Ndërsa, vendet nga ku më së shumti emigrantët dërgojnë para sipas këtij studimi janë Gjermania dhe Zvicra. Gjithashtu edhe në Itali, Austri dhe SHBA jetojnë një numër i madh i kosovarëve që dërgojnë remitenca. Nga numri i përgjithshëm i dërguesve të remitencave, 85.4% janë burra dhe vetëm 14.6% janë gra.

Studimi është bazuar në një mostër përfaqësuese për shqiptarët, serbët dhe banorët tjerë të Kosovës.