Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 18:28

Prishtinë – Dy subjekte të palicencuara, të cilat nuk janë të regjistruara si kompani në Kosovë, përkatësisht janë duke operuar në mënyrë të paligjshme në zonat në veri të lumit Ibër. Provat e mbledhura nga KEK-u tregojnë qartë se Elektrokosmeti dhe Elektroprivreda Serbije, me mbështetjen e Elektromreža Serbije (EMS), së bashku janë duke realizuar aktivitetet e një operatori të sistemit të distribucionit të energjisë elektrike dhe të furnizuesit të energjisë elektrike në këto zona pa asnjë bazë ligjore ose autorizim.

Në bazë të kornizës ligjore dhe të rregullatorit të themeluar në vitin 2004, KEK-u është i vetmi operatori i licencuar i sistemit distributiv dhe furnizues publik për tërë territorin e Kosovës. Asnjë entitet tjetër nuk është i licencuar për të kryer ndonjërin nga këto aktivitete.

Banorët dhe bizneset në zonat në veri të lumit Ibër nuk duhet të mashtrohen me emrin “ED Elektrokosmet Prishtina”, që mund të shfaqet në faturat që ata marrin. Ky entitet nuk është i bazuar në Prishtinë dhe nuk duhet të ngatërrohet me KEK-un. Prandaj, nga ana e konsumatorëve të energjisë elektrike në Kosovë nuk duhet të bëhen pagesa, për Elektrokosmetin ose EPS, dhe konsumatorët duhet të mosrespektojnë faturat që kanë marrë nga këto subjekte dhe çfarëdo fature që ata marrin në të ardhmen nga Elektrokosmet / EPS.

Ata konsumatorë nga veriu prej lumit Ibër, që dëshirojnë të paguajnë për energjinë që konsumojnë (i cili është financuar nga KEK-u) duhet të bëjnë pagesat vetëm për KEK-un. Për ta bërë këtë, ata duhet të kontaktojnë zyrën e KEK-ut në Distriktin e Mitrovicës në 028 533 396.

Kjo është një çështje e “sundimit i ligjit”, dhe KEK-u pret që të gjitha organet e zbatimit të ligjit në Kosovë do të marrin masat e duhura për të siguruar që sundimi i ligjit të zbatohet.