Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 20:15

Prishtinë – Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte parashikuar vitin e kaluar se Kosova në vitin 2011 do të arrinte një rritje ekonomike prej rreth 6 për qind. Pritjet e FMN-së nuk kanë arritur të përmbushen nga Qeveria e Kosovës, e cila në këtë vit është ndalur tek një rritje ekonomike jo më e madhe se 5 për qind.

Banka Qendrore në raportin për gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka konstatuar se deri në fund të 2011-es rritja ekonomike nuk do të jetë më e madhe se sa reth 5 për qind.

“Zhvillimet ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2011 sugjerojnë se ekonomia e vendit do të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit 2011. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, rritja reale ekonomike në vitin 2011 pritet të jetë rreth 5.0 përqind, që paraqet një ngritje të lehtë krahasuar me vitin paraprak”, shënohet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

FMN-ja në vitin 2010 kishte parashikuar se Kosova në vitin 2011 do të arrinte një rritje ekonomike prej 5.9 për qind dhe do të rradhitej e dyta në Evropë  pas Bjellorusisë për rritje të shpejtë në sektorin e ekonomisë.  Ish-ministri për Ekonomi e Financa Ahmet Shala i kishte vlerësuar parashikimet e FMN-së si të përafërta me ato të Qeverisë së Kosovës.

“Vlerësimet e tilla na bëjnë të ndihemi krenar, posaçërisht kur ato vijnë nga një institucion i besueshëm si është FMN-ja”, kishte deklaruar ish-ministri i financave në Kosovë.

Banka Qëndore konstatimin e saj se Kosova do të arrijë një rritje ekonomike prej rreth për qind e ka bazuar në disa faktorë. “Sektori privat vazhdon të jetë bartësi kryesor i rritjes ekonomike, përderisa edhe konsumi dhe investimet e sektorit publik vazhdojnë të kenë ndikim pozitiv në aktivitetin ekonomik në vend. Konsumi privat në vazhdimësi ka ndjekur trend pozitiv të rritjes, përderisa rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik ka nxitur edhe më tutje rritjen e konsumit privat”, shënohet në konstatimet e këtij autoriteti rregullativ financiarë.

Analistët e Bankës Qëndrore të Kosovës kanë konkluduar po ashtu se ndikim në këtë rritje ekonomike do të edhe rritja e dërgesave të emigranteve, rritja e kredive të sektorit banker, vazhdimi i procesit të privatizimit, rritja e investimeve të huaja si dhe rritja e investimeve publike. (LajmeShqip.com)