Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 09:54

Prishtinë – Më 23-24 mars 2011 një delegacion nga Kosova do të udhëtojë për në SHBA për të marrë pjesë në Samitin e Bizneseve të Ballkanit në SHBA.

Pjesë e këtij delegacioni do të jenë Lekë Musa, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, Safet Gërxhaliu, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Mustafë Hasani, Kryeshef i Agjencionit për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK).

Samiti i Bizneseve të Ballkanit në SHBA do të udhëhiqet nga Zyra e Sekretarit të Shtetit të Maryland, Departamenti i Biznesit dhe Zhvillimit Ekonomik të shtetit të Maryland-it, dhe nga Aleanca e Bizneseve të SHBA-ve dhe Ballkanit, dhe do të mbahet ne Universitetin e Maryland-it. Industritë specifike në të cilat do të fokusohet ky samit janë: energjia, transporti, turizmi, mbrojtja, prodhimtaria,si dhe teknologjia informative.

Ky takim është i pari i këtij soji që po organizohet në SHBA dhe qëllimi i tij është promovimi i marrëdhënieve bilaterale dhe mundësive të investimit në mes të qeverisë dhe bizneseve Amerikane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.