Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 20:12

Prishtinë – “Mbikëqyrja e Tregut pas vendosjes së parimit të reciprocitetit në Marrëdhëniet Tregtare me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Bosnje Hercegovinës”, ishte tema e takimit të mbajtur sot nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës së zyrës së shtypit të MTI-së, gjatë takimit, i cili është drejtuar nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Ruzhdi Shehu, ku  morën pjesë përfaqësues të institucioneve kompetente të Kosovës, u bë prezantimi i Panit të Veprimit për mbikëqyrjen e tregut pas vendosjes së masave të reciprocitetit për marrëdhëniet tregtare me këto dy shtete.

Kryeinspektori Shehu, gjatë prezantimit të Planit të Veprimit, sqaroi aktivitetet dhe metodat e mbikëqyrjes, institucionet përgjegjëse për implementimin e Planit, periudhat e kontrollimit si dhe masat dhe raportimin rreth këtij procesi.

Ai foli edhe për mënyrën e zhvillimit të ngjarjeve dhe proceseve institucionale deri në marrjen e vendimit për të vendosur parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Bosnje Hercegovinës, si dhe përmbajtjen e tij.

Me këtë Plani të veprimit është vendosur për aktivitetet e inspektorëve të tregut, ku përfshihen kontrollet për dokumentacionin e produkteve, regjistrimin e stoqeve të importeve, kontrollin e produkteve të vendosura në depo dhe produkteve të vendosura për konsumatorë dhe ndërmarrja e të gjitha veprimeve me qëllim të luftimit dhe parandalimit të ekonomisë joformale.

Po ashtu, kontrolli do të bëhet tek të gjithë subjektet afariste, të cilët veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës, se organi kryesor për implementimin e Planit do të jetë Inspektorati i Tregut përmes inspektorëve të vendosur në njësitë komunale dhe për organet mbështetëse, të cilat do të jenë Doganat e Kosovës, Policia e Kosovës dhe inspektorët e inspektorateve të tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

U bë e ditur se për periudhën e kontrollimit intensiv, e cila do të fillojë nga data 9 gusht, e që do të zgjasë deri me datë 31 gusht 2001,  do të ndërmerren masa  ndaj të gjithë subjekteve, të cilat nuk kanë respektuar vendimin për parimin e reciprocitetit dhe të cilët kanë bërë shkelje të dispozitave të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi.