Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:00

Komisioneri për Energji i Komisionit Evropian Gunther Oettinger mirëpriti angazhimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në projektet e infrastrukturës për energji elektrike dhe gaz si dhe theksoi përkrahjen e Komisionit Evropian në këto projekte.

Gjatë takimit në Bruksel me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, komisionari Oettinger shprehu mbështetjen e tij për procesin e integrimit të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Ministri Beqaj njohu komisionerin Oettinger me zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë dhe punën që është në përafrimin e Kosovës me standardet Evropiane.Ministri e informoi komisionarin e BE-së me projektet e ndërtimit të TEC Kosova e Re, privatizimin e KEDS-it dhe projektet në fushën e promovimit dhe gjenerimit të energjisë nga burime të ripërtërishme dhe në fushën e efiçiencës së energjisë.

Ministri Beqaj gjithashtu foli edhe për planifikimin e organizimit të një konference të donatorëve në të cilën do të diskutohej për efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtërishme dhe projektet tjera në sektorin e energjisë.

Po ashtu, ai u ndal edhe në bashkëpunimin me shoqërinë civile në projektet e energjisë dhe nevojën e vazhdimit të mbështetjes financiare për zhvillimin e këtij sektori.

Beqaj pritet të takohet nesër me Stefano Sannino, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, me të cilin do të bisedojë lidhur me çështjet e integrimit ekonomik, marrëveshjen për tregti të lirë, liberalizimin e vizave dhe reformat strukturore në ekonominë e Kosovës.