Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 18:20

Prishtinë – Humbësi më i madh në marrëveshjen e Cefta-s është Kosova, e cila në periudhën 2007-2010 ka importuar rreth 11 herë më shumë se që ka eksportuar. Të dhënat janë publikuar sot nga një hulumtim i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Politikat ekonomike, të instaluara nga faktori ndërkombëtar dhe vendor, në raport me vendet e Cefta-s, ndikojnë  çdo ditë e më shumë në varfërinë e ekonomisë e sidomos tek prodhuesit vendorë. Ky konstatim është dhënë nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini, gjatë publikimit të hulumtimit të AKB-së për përfitimet, përkatësisht humbjet nga marrëveshja e Cefta-s.

“Përfituesit më të mëdhenjë nga CEFTA ishin Maqedonia, Serbi, Shqipëria, BeH, Kroacia dhe Mali I Zi. Pra, 6 shtete të cilat në periudhën 2007-2010 kanë një eksport në vlerë mbi 2 miliardë e 700 milionë euro”, tha Shahini.

Eksporti i Kosovës drejt vendeve të Cefta-s, gjatë kësaj periudhe ishte në vlerë vetëm mbi 250 milionë euro. Kryetari Shahini i rekomandon qeverisë, që në mënyrë urgjente t’i ndërmerrë hapat e paralajmëruar në raport me Serbinë dhe Bosnjën.

“Rekomandimet tona janë, që menjëherë të merren masa të reciprocitetit, që të mbrohet ekonomia dhe prodhuesi vendorë, dhe ashtu si kanë bërë edhe vendet rajonale, në sezone të caktuara të mbrohet ekonomia vendore”, ka thënë me këtë rast, Shahini.

Këtyre kërkesave, mbështetje i dhanë edhe prodhuesit vendorë, të cilët konfirmuan problemet që po i kanë me marrëveshjen e Cefta-s.