Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 15:58

Prishtinë – Zyrtarë të doganave të Kosovës dhe të Malit të Zi nënshkruan sot në Prishtinë një protokoll bashkëpunimi për shkëmbimin elektronik të të dhënave.

Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit, drejtues të doganave të Kosovës dhe Malit të Zi nënshkruan sot një protokoll bashkëpunimi.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, tha se përmes këtij protokolli, mundësohet këmbimi elektronik i të dhënave dhe informatave rreth qarkullimit të mallrave nga njëri vend tek tjetri.

Në bazë të statistikave zyrtare, importet nga Mali i zi në Kosovë kapin shifrën prej 18 milionë eurosh, ndërkaq eksportet e Kosovës drejt atij shteti vetëm rreth 5 deri në 6 milionë euro.

Huruglica pohon se mungesa e demarkacionit të kufirit ka shkaktuar probleme të vazhdueshme për të dy administratat.

Edhe drejtori i doganës së Malit të Zi, Bozhidar Vuksanoviq, konfirmoi bashkëpunimin që ekziston mes dy institucioneve, në ndalimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale. Ai theksoi se ky protokoll është vazhdimësi e një marrëveshjeje të nënshkruar para një viti në Podgoricë.

Ndryshe, marrëveshje të tilla të shkëmbimit elektronik të të dhënave Kosova ka arritur edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë.