Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 12:55

Prishtinë – Kosova dhe Kroacia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, që u firmos gjatë një takimi në Zagreb nga ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe homologu i tij kroat, Ministrin e Ekonomisë, Punës dhe Ndërmarrësisë, Gjuro Popijaq.

Burime zyrtare të Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik bënë të ditur se Memorandumi synon të fuqizojë marrëdhëniet miqësore bilaterale në fushën e ekonomisë, me prioritet rritjen e qëndrueshme të bashkëpunimit në sektorin e energjisë, thëngjillit, gazit natyral, burimeve të energjisë se ripërtërishme, efiçiencën e energjisë dhe asistencës reciproke në zbatimin e projekteve dhe iniciativave në harmoni të plotë me politikat dhe strategjitë e të dy shteteve në fushën e qeverisjes së ndërmarrjeve publike.

Gjatë takimit të ministrit Beqaj me zëvendëskryeministrin kroat për investime, Domagoj Milosheviq u bisedua mbi mundësitë për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.

Pasi u njoh me prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Kosovë dhe infrastrukturën ligjore për investimet e huaja, Milosheviq u shpreh se “Interesi i Kroacisë është që ndërmarrjet tona edhe më shumë të participojnë në ekonominë e Kosovës. Biseduam edhe lidhur me pjesëmarrjen më të gjerë të prodhimeve nga Kosova në tregun kroat”.

Në kuadër të vizitës në Kroaci, ministri Beqaj sot do të pritet nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviq.

Beqaj ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Kroaci.