Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 11:20

Prishtinë – Konsumatorët kosovarë gradualisht po i bojkotojnë produktet e Serbisë, duke rritur konsumin e prodhimeve vendore.

Ndonëse ende nuk janë mbushur dy javë nga bllokada e importeve nga Serbia, afaristët vendorë po i zëvendësojnë produktet serbe me produkte të vendeve të tjera.

Kosovarët në masë të madhe po i bojkotojnë prodhimet serbe, duke i zëvendësuar me prodhime vendore, e në rastet kur nuk ka, atëherë i kërkojnë të vendeve tjera. Shumë sish, përpara se të marrin ndonjë artikull, përveç afatit të skadimit, shikojnë me kujdes edhe vendin ku është prodhuar.

Edhe konsumatorët tjerë shprehen se nuk konsumojnë prodhime nga Serbia, ndonëse në dyqane ka ende prodhime të atij vendi.

Përfaqësuesit e kompanive tregtare thonë se shumica e produkteve serbe, të importuara në Kosovë para vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë, tashmë janë shitur.

Në Kosovë, që nga vendosja e masave të reciprocitet në raportet tregtare me Serbinë, produktet e këtij shteti nuk kanë mundur të hyjnë në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, bën thirrje për konsumim më të madh të prodhimeve vendore.

Zëvendësimi i produkteve serbe më produkte të vendeve tjera, sipas tregtarëve është më i kushtueshëm. Për këtë arsye, ata sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të heqë doganën për të gjitha ato produkte strategjike që Kosova ka qenë e varur nga Serbia.
Qytetarët e Kosovës në qytete të ndryshme kanë organizuar aksione për djegien e produkteve serbe, me qëllim të bojkotimit të tyre. (LajmeShqip.com)