Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 13:39

Prishtinë – Ekspertë të ekonomisë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për heqjen e barrierave në transportin e mallrave e konsiderojnë të pakuptimtë, sidomos për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ekziston ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ata thonë se me këtë marrëveshje anashkalohet ekonomia e Kosovës dhe i jepet përparësi ekonomisë së Serbisë.

Vitin e kaluar prodhuesit kosovarë të patates dhe të rrushit kanë hasur në vështirësi për të eksportuar në Shqipëri prodhimet e tyre, sepse autoritetet e këtij shteti kanë vendosur barriera që ia kanë bërë të pamundur eksportin.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se me këtë trajtim që po e bënë Shqipëria ndaj Kosovës, po e anashkalon ekonominë e Kosovës.

Ai ka shprehur besimin se në të ardhmen do të dominojë një më qasje positive.

Komentet nga pala e Shqipërisë janë se nuk ka pas iniciativa nga pala kosovare, por Gërxhaliu thotë që ka pas tentativa dhe iniciativa për dialogim në këtë drejtim nga pala kosovare.

Profesori Nagip Skenderi, këtë anashkalim e quan komplot kundër ekonomisë së Kosovës .

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’ia bëjnë me dije Shqipërisë se Kosova ka nevojë në këtë fazë substanciale të zhvillimit ekonomik.

Për më tepër profesor Skenderi këtë e quan një lojë të Serbisë që po e bën me Kosovën dhe Shqipërinë.

Për njohësin e fushës së ekonomisë mos përkrahja e ekonomisë nga shteti amë i Shqipërisë dekurajon investitorët e jashtëm, sepse nëse Kosova nuk ka një tretman të favorizuar nga ana e Shqipërisë, atëherë si mund të ketë një tretman nga shtetet e tjera të rajonit.

Skenderi konsideron se Shqipëria duhet të jetë një “kujdestare” e ekonomisë së Kosovës. Sipas tij, marrëveshja për heqjen e tatimeve mund të arrihet edhe me Kosovën në muajt e ardhshëm, por marrëveshja me Serbinë i ka shkaktuar dëm jo vetëm ekonomik, por edhe politik vendit tonë.

Ndërsa ditë më parë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se kjo çështje më tepër i përket Ministrisë së Financave.

Ndryshe, kohë më parë Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për heqjen e barrierave në transportin e mallrave, por një marrëveshje e tillë mungon mes Shqipërisë dhe Kosovës.