Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 14:55

Tiranë – Bankat kanë rritur rezultatin financiar gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për shtatë muajt e parë të vitit bankat fituan 2 miliardë lekë, me një përmirësim prej 82% krahasuar me rezultatin e 6-mujorit.

Megjithatë, fitimi i bankave është më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur kishte vlerën e 3.7 miliardë lekëve.

Të njëjtën tendencë kanë ndjekur edhe dy treguesit kryesorë të përfitueshmërisë së bankave, kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet, që janë në nivele më të larta krahasuar me muajin qershor, por më të ulëta krahasuar me muajin korrik të një viti më parë.

Për shkak të rritjes së kredive me probleme, bankat kanë shpenzuar më shumë për fondin rezervë të humbjes nga kreditë, çka ka sjellë një ulje të fitimeve krahasuar me vitin 2010.

Treguesi i kredive me probleme për muajin korrik megjithatë ka njohur një lloj stabiliteti në nivelin 17.1%, me rritje vetëm 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me qershorin. Ndërsa në harkun e një viti, norma e kredive me probleme është rritur me 4.1 pikë përqindjeje. (LajmeShqip.com)