Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 09:00

Korçë – Një vajzë rome vetëm 5 muajshe, banore e lagjes nr 8 në Korçë, e quajtur  S. Kërçeli,  u nda nga jeta pasditen e së enjtes. Foshnja ishte çuar në spital mbrëmjen e së mërkurës nga prindërit e saj,  ku pas vizitës mjekësore ata e kishin çuar sërish në banesë, me shpresën se do të mund të përmirësohej, por gjendja e saj kishte qenë mjaft e rënduar. Veç kësaj, prindërit nuk kishin marrë parasysh këshillat e mjekëve, ku këta të fundit u kishin kërkuar që vajza të shtrohej në spital, por prindërit e vajzës nuk kishin pranuar. Për pasojë, pasditen e së enjtes vajza 5-muajshe do të ndahej përfundimisht nga jeta.

Ndërkaq, prindërit, Kërçelli  deklaruan se vajza kishte kohë që ishte e sëmurë, pasi banesa e tyre nuk i plotëson kushtet dhe veç kësaj, pohuan se ishin tepër të varfër. Madje, kishte qenë frika e mospërballimit të shpenzimeve që nuk e kishin çuar vajzën në spital për kurim. Me vdekjen e vajzës 5-muajshe numri i viktimave për shkak të të ftohtit apo dhe aksidentale, deri më tani ka shkuar në 5.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Disutni Albania “, Arben Kosturi, bëri të ditur se mjaft prej banorëve të lagjes nr 8 (dhe në këtë rast bëhet fjalë për komunitetin rom) jetojnë në kushte të vështira banimi ashtu si famija Kërçelli.  Me këtë vështirësi përballen edhe 120 romët e qytetit të Bilishtit, tha Kosturi, por edhe romët që jetojnë në një repart ushtarak në qytetin e Pogradecit.  Fëmijët e tyre, ashtu si vajza 5-muajshe, përballen me probleme shëndetësore. Madje për shkak të varfërisë me të cilën ata përballen, romët janë të detyruar të mbledhin rroba të vjetra në plehrat e qytetit dhe t’i përdorin ato për ngrohje. Në këto ditë të ftohta dimri, ata i sheh vazhdimisht duke mbledhur rroba të vjetra, ku shpesh herë shoqërohen edhe nga të moshuarit dhe nga fëmijët. Mjaft prej tyre kanë filluar të vuajnë nga këmbët, pasi i kanë të enjtura nga i ftohti.