Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 09:22

Korçë – Ka nisur sot në qarkun e  Korçës fushata e vaksinimit të kafshëve të prodhimit kundër sëmundjes së brucelozës. Sipas drejtorit rajonal të bujqësisë, A. Maho, në këtë qark do të vaksinohen pa pagesë 320.000 bagëti të imta. Për këtë, në kuadër  të  projektit PAZA, në rrethin e Korçës, Devollit, Kolonjës e Pogradecit, janë përfshirë për vaksinimin e bagëtive 70 specialistë veterinerë dhe vlera e financimit nga Bashkimi Europian e  Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për këtë qark është mbi 600.000 dollarë.

Para fillimit të kësaj fushate, në katër rrethet e qarkut u organizuan për fermerët seminare treguese për vaksinimin e bagëtive, duke theksuar rrezikshmërinë e lartë që paraqet kjo sëmundje te kafshët dhe njerëzit si dhe u shpërndanë  rregullore xhepi me një informacion mjaft të rëndësishëm se ç’është bruceloza, mënyrat e infektimit te kafshët dhe njerëzit, shenjat klinike të sëmundjes te kafshët dhe humbjet ekonomike që shkakton ajo për fermerët.

Sipas specialisteve, bruceloza është një sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë te kafshët dhe njerëzit, e shkaktuar nga bakteri i quajtur Brucela. Ajo përhapet tek delet, dhitë e lopët. Në qarkun e Korçës, sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetit Publik, vitin e kaluar janë shënuar tre raste infeksioni nga kjo sëmundje te njerëzit.

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit  organizon falas në shkallë vendi dy fushata vaksinimi ne 2012 dhe 2013, duke u bërë thirrje fermerëve se në radhë të parë është përgjegjësia e tyre për të mbrojtur veten, familjen e fëmijët e tyre dhe konsumatorin e produkteve blegtorale nga kjo sëmundje e rrekshme.