Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 14:57

Tiranë – Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin për tregun e importit dhe tregtimit më shumicë të sheqerit, me konkluzionin se nuk ka shkelje të konkurrencës dhe abuzim me pozitën dominuese.

Hetimi përfshiu periudhën nga janari 2008 deri në fund të dhjetorit 2010 dhe u hap sepse Autoriteti kishte konstatuar se tregu dominohej nga dy shoqëri, “Ferra” dhe “Sucralba”.

Nga të dhënat e administruara nga Autoriteti i Konkurrencës, këto dy shoqëri së bashku në vitin 2008 zotëronin 93% të tregut, ndërkohë që në vitin 2010 pjesa e dy shoqërive ra në 83%.

Megjithë nivelin e lartë të përqëndrimit, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se tregu përkatës është konkurrues dhe nuk ka pasur shkelje të ligjit.

Midis ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në këtë treg, gjatë periudhës hetimore, nuk janë gjetur evidenca të marrëveshjeve të ndaluar apo praktikave të bashkërenduar, e cila mund të kufizojë, shtrembërojë apo pengojë konkurrencën.

Gjithashtu, duke iu referuar krahasimit të çmimeve të tregtimit të sheqerit dhe analizës së kostos së dy shoqërive të hetuara, nuk janë evidentuar abuzime me pozitën dominuese. (LajmeShqip.com)