Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 10:49

Tiranë – Rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës gjejnë një zbatim të paktë nga institucionet e tjera. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, tha gjatë raportimit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, se një pjesë e mirë e rekomandimeve që Autoriteti ka dhënë për përmirësimin e Konkurrencës në tregje të veçanta nuk janë marrë parasysh.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Teknologjisë së Informacionit janë dy institucionet më të fundit që kanë shpërfillur rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, përkatësisht lidhur me tregun e Bonove të Thesarit dhe me liçencat 3G. Zonja Milo tha se Autoriteti i Konkurrencës është duke hetuar tregun e disa produkteve bazë ushqimore, për të cilat në muajt e fundit është vërejtur rritje e ndjeshme e çmimeve. Këtu përfshihen tregu i sheqerit, i orizit dhe i vajit vegjetal.

Autoriteti i Konkurrencës bëri gjithashtu të ditur se, pas ndryshimeve ligjore që i njohin gjobat e Autoritetit si titull ekzekutiv, më në fund është bërë vjelja e pjesshme e tre prej tyre nga Zyrat e Përmbarimit.