Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 12:38

Tiranë – Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim të thelluar për tregun e depozitimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano. Vendimi është marrë pas ankesës së shoqërisë Mare Oil, që nuk është lejuar të përdorë depozitat e Porto Romanos për shkarkimin e një anijeje me gaz të lëngshëm. Autoriteti ka vendosur si masë të përkohshme detyrimin e “Romano Port”  për të lejuar kompaninë e interesuar të depozitojë ngarkesën e gazit të lëngshëm.

“Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa shoqëria “Romano Port” të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme. Ndërsa në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme ndërmarrja përgjegjëse rrezikon të ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës,” tha Ermal Nazifi, këshilltar ligjor i Autoritetit të Konkurrencës.

Është hera e dytë në më pak se një vit që Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm. Hetimi i parë, i nisur pas një ankesë ndaj shoqërisë tjetër, Petrolifera, doli në konkluzionin se nuk kishte pasur shkelje të konkurrencës dhe abuzim me pozitën dominuese. (LajmeShqip.com)