Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 07:27

Tiranë – Nxitja me çdo kusht e prodhimit vendas, sidomos e drejtuar për tregun e brendshëm, është mënyra e vetme për të ulur rreziqet që i vinë ekonomisë kombëtare nga kahu negativ i thellimit të deficitit tregtar, konsideron federata Kombëtare e Industrive/ Alb Konfindustria.

Në një deklaratë të saj, Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për thellimin me 10 % të defiçitit tregtar të vendit për 3 mujorin e parë të vitit 2011 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit parardhës, çka bëri që të shkurtohen me rreth 18. 3 miliard lekë shpenzimet buxhetore për vitin financiar në vazhdim.

Alb Konfindustria gjithashtu vlerëson, se  duke patur parasysh uljen e vazhdueshme të të ardhurave vjetore nga remitancat, kufizimin e mundësive për të rritur borxhin  publik si dhe mundësitë e pakta për të përfituar nga proçese privatizimi të pronës publike për shkak të cilësisë së pjesës së mbetur si dhe të kërkesës së ulët të investitorëve dhe tregjeve të huaja, duhen parashikuar masa të jashtëzakonshme nga institucionet qeveritare për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë kombëtare.

“Nxitja me çdo kusht e prodhimit vendor, sidomos e drejtuar për tregun e brendshëm, është mënyra e vetme për  të ulur rreziqet që i vinë ekonomisë kombëtare nga kahu negativ i thellimit të deficitit tregtar”, konsideron Konfindustria.

Krahas kësaj, ajo sugjeron ndërmarrjen e veprimeve të shpejta nga institucionet qeveritare shqiptare për ndalimin e daljes së jashtëligjshme  jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare. Ndërkohë, duhen shfrytëzuar me çdo kusht mundësitë e dhëna nga ligji ne fuqi prej pothuaj 2 muajsh i faljes fiskale për thithjen e të ardhurave financiare të siguruara nga qytetaret shqiptare jashtë vendit. Muajt e pushimeve verore dhe ardhjes së përvitshme të emigranteve në atdhe është koha më e përshtatshme për  kryerjen me sukses të procesit të sipërpërmendur, konsideron Konfindustria.