Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 22:03

Konfindustria do të kërkojë zyrtarisht institucioneve shtetërore dhe vendimarrjes politike nisjen sa më shpejt të veprimeve ligjore të nevojshme për tejkalimin e gjendjes në tregun shqiptar të sigurimeve, liberalizimin dhe mirëfunksionimin e tij.
Gjergj Buxhuku, Administrator i Pergjithshëm i Konfindustria deklaroi sot se, do të kërkojë heqjen e sigurimit të detyrueshëm të të gjitha kategorive të makinave për biznesin dhe qytetarët dhe kthimin plotësisht në sigurim vullnetar dhe lehtësimin e kushteve të liçensimit me qëllim nxitjen e hyrjes së operatorëve të rinj të sigurimit në treg. 
Konfindustria vlerëson, se marrja e masave të mësipërme është domosdoshmëri me qëllim hapjen e vërtetë të tregut të sigurimeve në vend, nxitjen e konkurencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për klientë. 
Sipas Buxhukut, këto masa janë të vonuara dhe duhet të ishin ndërmarrë njëkohësisht me liberalizimin e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të vendosur nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
“Në këtë mënyrë do të mund të krijoheshin kushtet e duhura për të shmangur përgjithmonë rrezikun e shfaqjeve të oligopoleve dhe organizimet e tipit kartel të operatorëve me pasoja të rënda financiare për biznesin dhe qytetarët”, tha Buxhuku.
Sipas tij, “vetëm nga fiksimi i fundit i çmimit të policës së sigurimit të automjeteve, që përbën dhe pjesën me të madhe të tregut të sigurimeve, kemi një rritje prej disa dhjetra milione euro në dëm të publikut biznes dhe qytetar.